Një botë e madhe, në një fshat të vogël...

Fshati Turistik Kasollet e Zanave është një destinacion i veçantë i vendosur në zemër të natyrës së virgjër të Prapashticës, vetëm 30 kilometra nga Prishtina. I shtrirë në një lartësi prej rreth 1000 metrash mbi nivelin e detit, fshati ofron pamje mbresëlënëse, ajër të pastër dhe një klimë të freskët gjatë gjithë vitit. Larg zhurmës urbane, Kasollet e Zanave është një vend për qetësi, pushim dhe rilidhje të sinqertë me natyrën.

 

 

I frymëzuar nga tradita shqiptare dhe i ndërtuar mbi parimet e turizmit të qëndrueshëm, fshati përbëhet nga 22 kasolle prej druri dhe guri natyral, të vendosura harmonikisht në një ambient kodrinor. Çdo kasolle është konceptuar për të ofruar rehati dhe ngrohtësi, duke ruajtur thjeshtësinë dhe lidhjen me jetën rurale. Këtu, luksi gjendet në qetësi, hapësirë dhe autenticitet.

 

 

Kasollet e Zanave nuk është vetëm një vend pushimi, por një model i turizmit të përgjegjshëm.
Me një ekip të përkushtuar dhe një organizim profesional që përfshin mikpritjen, kujdesin për kafshët dhe menaxhimin e përvojave, çdo detaj është menduar për ta vendosur vizitorin në qendër të përvojës.

 

 

Në zemër të fshatit ndodhet restoranti, ku shërbehen receta tradicionale të përgatitura me përbërës të freskët nga sera jonë dhe fermerët lokalë. Mëngjeset në verandë, darkat pranë zjarrit dhe atmosfera autentike e bëjnë restorantin një vend ku shija ndërthuret me kujtesën dhe traditën shqiptare.

 

 

Fshati ofron gjithashtu hapësira të dedikuara për relaks dhe bashkëbisedim, si kafehanet pranë Kopshtit të Kafshëve dhe parkut të lojërave, si dhe sheshin dhe pazarin e fshatit, ku vizitorët mund të gjejnë produkte artizanale dhe ushqime tradicionale të përgatitura nga komuniteti lokal.

 

 

Një nga shtyllat kryesore të Kasolleve e Zanave është Kopshti i Kafshëve, një hapësirë edukative dhe rekreative ku vizitorët, veçanërisht fëmijët, mund të ndërveprojnë me kafshë të ndryshme dhe të njohin nga afër jetën në fshat. Kjo përvojë shoqërohet me aktivitete të udhëhequra, shfaqje edukative dhe evente sezonale që krijojnë kujtime të veçanta për të gjithë familjen.

 

 

Përtej relaksit, fshati ofron një gamë të gjerë përvojash aktive gjatë gjithë vitit – nga kalërimi, shëtitjet me qerre kuajsh dhe ecjet në natyrë, deri te aktivitetet dimërore dhe programet për fëmijë, familje, grupe dhe kompani.

 

 

Çdo vizitë në Kasollet e Zanave kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e zonave rurale, në fuqizimin e grave lokale përmes punësimit dhe trajnimit, dhe në edukimin e brezave të rinj për ta dashur dhe respektuar natyrën.

Mirë se vini!

Të dashur mysafirë,

Jam i privilegjuar t’ju mirëpres në Fshatin Turistik Kasollet e Zanave, një projekt i ndërtuar me përkushtim dhe dashuri të madhe, me synimin për t’u shndërruar në një nga pikat më atraktive të turizmit në Kosovë.

Ideja për këtë fshat lindi si një diskutim mes miqsh gjatë periudhës së pandemisë, në një kohë kur të gjithë ndjenim mungesën e natyrës, lirisë dhe bashkëndarjes së çasteve me njerëzit tanë. Ajo që nisi si një ide e thjeshtë, sot është kthyer në një projekt madhor që synon të ndryshojë mënyrën se si e kalojmë kohën e lirë.

Një nga qëllimet kryesore të Kasolleve e Zanave është krijimi i hapësirave ku familjet mund të kalojnë kohë cilësore së bashku, larg ritmit të përditshëm dhe në harmoni me natyrën. Përmes aktiviteteve rekreativo-sportive dhe edukative, synojmë të forcojmë lidhjen mes prindërve dhe fëmijëve, duke krijuar përvoja që mbeten gjatë në kujtesë.

Për adhuruesit e natyrës dhe ushqimit të mirë, fshati ofron një kombinim të veçantë aktivitetesh në natyrë dhe përvojash kulinare. Restoranti ynë, i frymëzuar nga arkitektura tradicionale shqiptare, sjell shije që i bëjnë nder kuzhinës lokale, ndërsa përmes programeve tematike kulinare synojmë të pasurojmë përvojën gastronomike gjatë gjithë vitit.

Ju ftoj të eksploroni çdo faqe të kësaj webfaqeje për të njohur më nga afër infrastrukturën e fshatit, aktivitetet që zhvillohen dhe shërbimet që kemi ndërtuar me shumë kujdes.

Me dëshirën më të madhe që të kaloni çaste të paharrueshme dhe të krijoni kujtime të bukura, ju falënderoj sinqerisht që jeni pjesë e këtij rrugëtimi.

Sinqerisht,
Betim Gashi
Themelues dhe Kryetar i Bordit