Kopshti i Kafshëve
Përjetoni botën e kafshëve
Kopshti i kafshëve shtrihet në rreth 2 hektarë dhe përfshin një objekt oval prej 3000 m², me dy hapësira funksionale:
- Hapësira e brendshme: kuajt, muzeu i fshatit, dhoma e larjes së kuajve, dhomat e pajisjeve për kalërim, ambulanca veterinare dhe hoteli për kuajt.
- Hapësira e jashtme: më shumë se 150 kafshë të ndryshme, Hambari (shitorja e ushqimit për kafshët), dyqani i saraçit, çerdhja e kafshëve dhe hoteli për kafshët.
Në qendër ndodhet një hapësirë e hapur për vizitorët, ku organizohen evente, shfaqje edukative dhe aktivitete me kafshët – si të ushqyerit, prezantime mbi kujdesin dhe ndërveprim rekreativ.
Një element tërheqës është çerdhja e kafshëve, ku fëmijët ndërveprojnë me kafshë të vogla si qengjat, edhat, lepurushët, këlyshët etj., duke mësuar për kujdesin ndaj tyre dhe duke krijuar lidhje me kafshët.
Aktivitetet në kopshtin e kafshëve
Për t’u siguruar që çdo vizitor të përjetojë një eksperiencë të paharrueshme, në Kopshtin e kafshëve do të organizohet një program ditor i aktiviteteve, ku animatorët tanë do të prezantojnë të gjitha kafshët, duke shpjeguar karakteristikat e tyre, habitatin ku jetojnë dhe shumë informacione të tjera të dobishme. Ky program edukativ dhe argëtues është një mundësi e shkëlqyer që fëmijët të mësojnë në mënyrë interaktive dhe të angazhohen në botën e kafshëve.
Një nga aktivitetet e përditshme është ora e mjeljes së lopëve dhe dhive, ku fëmijët do të mund të shohin nga afër se si merret qumështi nga kafshët dhe të kuptojnë më mirë rëndësinë e produkteve natyrale.
Përveç aktiviteteve të përditshme, do të organizohen edhe evente dhe aktivitete të veçanta, të cilat do të ofrojnë përvoja unike për vizitorët, si:
Sfilata e kafshëve, ku kafshët do të parakalojnë nën kujdesin e stafit tonë, duke i njohur vizitorët me karakteristikat dhe veçoritë e secilës prej tyre.
Shfaqje të shkurtëra teatrale, ku personazhet dhe temat do të lidhen me botën e kafshëve dhe natyrën, duke ofruar argëtim edukativ për fëmijët.
Kinema e hapur në natyrë, ku në mbrëmje do të shfaqen filma për fëmijë dhe dokumentarë mbi jetën e kafshëve, duke krijuar një ambient magjik nën qiellin e hapur.
Aktivitete të ndryshme sezonale, të tilla si gara kalërimi, festa të fshatit me muzikë dhe valle tradicionale, si dhe punëtori artizanale ku fëmijët do të mund të krijojnë punime me dorë të frymëzuara nga natyra dhe kafshët.
Kuajt e fshatit
Një ndër veçoritë më tërheqëse të kopshtit është stalla e madhe, e cila akomodon mbi 30 kuaj dhe është në dispozicion për aktivitete të ndryshme që do të ofrohen për vizitorët që dëshirojnë të angazhohen në kalërim dhe të mësojnë për kujdesin ndaj këtyre kafshëve madhështore.
Në këtë stallë, vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me kuaj të racave më të njohura dhe të veçanta, si Friesian, me pamjen e tij elegante dhe lëvizjet fisnike; Akhal-Teke, i famshëm për shkëlqimin metalik të qimes së tij; kuajt e racës Arabe, të njohur për shkathtësinë dhe bukurinë e tyre të jashtëzakonshme; Thoroughbred, një ndër kuajt më të shpejtë në botë të përdorur për gara; Lipizzaner, i njohur për elegancën e tij në artin e kalërimit klasik; Appaloosa, që dallohet për lëkurën e tij me njolla unike dhe temperamentin miqësor; Pony dhe mini Pony, të butë, miqësorë dhe të dashur me fëmijët; si dhe shumë kuaj të racave të tjera.
Kafshët e tjera
Ky kopsht është një strehë e ngrohtë për më shumë se 150 kafshë të ndryshme, përfshirë lloje kafshësh të rajonit dhe kafshë të ardhura nga kontinente të tjera. Kopshti është projektuar me qëllimin që të ofrojë kushte të përsosura për çdo lloj kafshe, me hapësirë të bollshme dhe ushqim cilësor. Këtu, kafshët jetojnë në një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm, dhe përveç kopshtit, ato kalojnë kohë edhe në një hapësirë të hapur gjatë orareve të caktuara të ditës.
Llamat

Llamat
Në Kasollet e Zanave jetojnë katër llama, kafshë të buta, inteligjente dhe shumë kureshtare, të njohura për natyrën e tyre miqësore me njerëzit. Ato vijnë nga rajonet malore të Amerikës së Jugut, kryesisht nga Peruja, Bolivia dhe Kili, ku janë përdorur prej shekujsh si kafshë për transport dhe prodhimin e leshit. Llamat kanë një trup të fuqishëm, qafë të gjatë dhe një gëzof të trashë që i mbron nga temperaturat e ndryshme. Ato komunikojnë mes tyre me tinguj të veçantë dhe shprehin emocionet përmes gjuhës së trupit, ndërsa janë shumë të dashura dhe të sigurta për të kaluar kohë me to, sidomos për fëmijët. Në fshatin tonë turistik, llamat janë një atraksion i veçantë për vizitorët, të cilët mund t’i vëzhgojnë nga afër, t’i ushqejnë dhe të mësojnë më shumë për sjelljen dhe zakonet e tyre unike.
Alpakat

Alpakat
Në Kasollet e Zanave jetojnë dy alpaka, kafshë të qeta, të dashura dhe shumë të buta, që vijnë nga rajonet malore të Amerikës së Jugut, veçanërisht nga Peruja. Të ngjashme me llamat, alpakat janë më të vogla në përmasë dhe njihen për gëzofin e tyre të butë dhe cilësor, i cili përdoret për prodhimin e tekstileve luksoze.
Alpakat janë shumë të shoqërueshme, reagojnë ndaj zërit të njerëzve dhe kanë një natyrë të hareshme që i bën të preferuara sidomos për fëmijët. Ato shprehin emocionet me anë të gjuhës së trupit dhe janë të sigurta për t’u prekur e ushqyer nga vizitorët.
Në fshatin tonë turistik, alpakat janë një atraksion i veçantë, që ofrojnë përvoja të bukura ndërveprimi dhe njohjeje me një nga kafshët më të veçanta të botës andine. Vizitorët mund t’i shohin nga afër, t’i fotografojnë dhe të mësojnë për mënyrën e jetesës së tyre.
Makushat (Emu)

Makushat (Emu)
Në Kasollet e Zanave jetojnë mbi 10 makusha, zogj të mëdhenj dhe të veçantë, të njohur për pamjen e tyre unike dhe natyrën kureshtare. Ata janë zogjtë e dytë më të mëdhenj në botë pas strucit dhe mund të arrijnë shpejtësi deri në 50 km/h. Pavarësisht madhësisë, janë të qetë dhe miqësorë, duke ofruar një përvojë interesante për vizitorët. Vezët e emu-ve janë të mëdha dhe me ngjyrë jeshile të errët, dhe ata janë një atraksion i veçantë për turistët që duan të mësojnë rreth jetës së këtyre zogjve ekzotikë. Nga pranvera e këtij viti, emu-të kanë filluar të bëjnë vezë dhe tashmë kanë çelur edhe zogjtë e parë të tyre.
Strucat (Ostrich)

Strucat (Ostrich)
Në Kasollet e Zanave jetojnë dy struca, zogjtë më të mëdhenj në botë, të njohur për pamjen e tyre mbresëlënëse dhe ecjen elegante. Strucat mund të arrijnë shpejtësi deri në 70 km/h, duke i bërë një ndër krijesat më të shpejta në tokë. Edhe pse duken madhështorë, ata janë paqësorë dhe kureshtarë, dhe shpesh afrohen me vizitorët për të krijuar ndërveprime të këndshme. Vezët e strucit janë ndër më të mëdhatë në botë dhe përbëjnë një atraksion më vete për mysafirët që janë të apasionuar pas natyrës dhe faunës ekzotike. Prania e tyre në fshat sjell një përvojë të veçantë dhe të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e kafshëve.
Drerët

Dreri dhe drenusha
Në Kasollet e Zanave jetojnë edhe dreri dhe drenusha, banorë elegantë të pyllit që sjellin qetësi dhe hijeshi në ambientin natyror të fshatit. Të njohur për sjelljen e butë dhe për pamjen e tyre të hijshme me brirët karakteristikë, dreri dhe drenusha shpesh shihen duke lëvizur ngadalë nëpër hapësirat e gjelbërta. Janë kafshë të qeta dhe të ndrojtura, por me kujdesin e duhur, shpesh afrohen me vizitorët dhe krijojnë çaste të veçanta ndërveprimi, veçanërisht me fëmijët. Prania e tyre është një përvojë e rrallë për të gjithë dashamirët e natyrës, duke sjellë një ndjesi të vërtetë të jetës së egër në zemër të fshatit turistik.
Dhitë alpine

Dhitë alpine
Në Kasollet e Zanave jetojnë disa dhi alpine, të njohura për energjinë, qëndrueshmërinë dhe natyrën e tyre kureshtare. Ato shoqërohen nga shumë keca të vegjël, të cilët vrapojnë e luajnë në hapësirat e fshatit, duke sjellë gjallëri dhe kënaqësi për vizitorët.
Përveç tyre, në tufë ndodhen edhe dy cjapa fisnikë, të cilët me qëndrimin e tyre imponues mbrojnë territorin dhe kujdesen për grupin e tyre. Dhitë alpine janë të mësuara me njerëzit dhe janë shumë miqësore, duke i lejuar fëmijët dhe vizitorët t’i afrohen, t’i ushqejnë dhe t’i përjetojnë nga afër.
Në Kopshtin e Kafshëve, vizitorët kanë mundësinë të mësojnë më shumë për këto kafshë të mençura, për mënyrën e tyre të jetesës dhe për qumështin e tyre cilësor, i cili është i njohur për vlerat e larta ushqyese. Fëmijët që vizitojnë fshatin do të kenë edhe mundësinë të shohin nga afër se si mjelen dhitë alpine, duke përjetuar një eksperiencë autentike të jetës në fermë. Për ta, kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të kuptuar më mirë lidhjen mes kafshëve dhe produkteve natyrore që ato ofrojnë.
Delet

Delet
Në Kasollet e Zanave jetojnë disa dele të bardha të buta, që sjellin një pjesë të butë dhe të qetë të jetës rurale në zemër të fshatit. Qengjat e vegjël, gjithmonë pranë nënave të tyre, janë të dashur për fëmijët dhe krijojnë çaste të veçanta për vizitorët që duan të përjetojnë nga afër jetën me kafshë.
Delja është një kafshë e urtë, e qetë dhe shumë miqësore, e mësuar me praninë e njerëzve, duke e bërë të lehtë afrimin, ushqimin dhe ndërveprimin, sidomos për më të vegjlit.
Në Kopshtin e Kafshëve, vizitorët mund të mësojnë më shumë për rolin e deles në jetën tradicionale, për qumështin dhe leshin që ajo ofron, si dhe të shohin nga afër momente të mjeljes apo të kujdesit ndaj qengjave, duke përjetuar një përvojë të vërtetë edukative dhe të paharrueshme.
Gomarët

GomerëtGomarët
Në Kasollet e Zanave jetojnë 6 gomarë, kafshë punëtore, inteligjente dhe të buta, që tani gëzojnë një jetë të qetë dhe të sigurt në Kopshtin e Kafshëve. Ndër ta, Passi është gomari më i dashur dhe më i guximshëm, gjithmonë i pari që afrohet për përkëdhelje dhe vëmendje. Disa nga gomerët kanë ardhur në fshatin tonë në gjendje të rëndë fizike, pas viteve të lodhshme në viset malore, ku ishin përdorur për punë të mundimshme. Falë kujdesit dhe trajtimit të duhur, ata tani jetojnë shumë më mirë, por ende mbajnë shenja nga e kaluara e tyre e vështirë. Vizitorët kanë mundësinë të mësojnë më shumë për këto kafshë besnike, t’i ushqejnë dhe të përjetojnë butësinë dhe urtësinë e tyre nga afër.
Bullicat

Buallica
Në Kasollet e Zanave jeton një buallicë e re, e cila po përshtatet çdo ditë e më shumë me jetën në fshat. Megjithëse ende e re, ajo tashmë ka filluar të ndihet rehat në mjedisin e saj të ri, duke u mësuar me kujdesin e njerëzve dhe hapësirat e gjera ku mund të lëvizë lirshëm. Buallica është një kafshë e fuqishme, e qetë dhe shumë inteligjente, e njohur për lidhjen e saj të ngushtë me ata që e trajtojnë me butësi. Së shpejti, ajo do të ketë edhe një shoqe, duke e bërë ambientin e saj edhe më të këndshëm. Vizitorët mund ta vëzhgojnë nga afër dhe të mësojnë më shumë për këtë kafshë të veçantë, e cila ka një rol të rëndësishëm në traditën bujqësore dhe natyrën e fshatit.
Lopët

Lopët
Në Kasollet e Zanave jetojnë dy lopë, secila e shoqëruar nga viçi i saj, duke krijuar një pamje të ngrohtë dhe autentike për vizitorët. Njëra është e zezë me lara të bardha, ndërsa tjetra ka një ngjyrë portokalli me lara të bardha, duke i bërë lehtësisht të dallueshme. Ato janë të buta, të qeta dhe shumë të lidhura me viçat e tyre, të cilët i ndjekin kudo.
Lopët tona jetojnë në një mjedis të hapur dhe të pastër, ku ushqehen me bar të freskët dhe marrin kujdesin e duhur nga stafi ynë. Përveçse një atraksion i dashur për vizitorët, veçanërisht për fëmijët, ato ofrojnë edhe një përvojë edukative. Fëmijët që vizitojnë Kopshtin e Kafshëve do të kenë mundësinë të shohin nga afër se si mjelen lopët dhe të mësojnë më shumë për rëndësinë e qumështit në jetën e përditshme. Kjo eksperiencë e veçantë i ndihmon ata të kuptojnë më mirë jetën në fermë dhe kujdesin për kafshët në një mjedis të dashur dhe të sigurt.
Derrkucët

Derrkucët
Në Kasollet e Zanave jetojnë dy derkuce shtëpiake, të njohura për natyrën e tyre të qetë, të butë dhe shumë miqësore. Ato janë pjesë e pandashme e Kopshtit të Kafshëve, duke krijuar çaste të këndshme për vizitorët që duan të përjetojnë nga afër jetën me kafshë shtëpiake.
Me pamjen e tyre simpatike dhe sjelljen lozonjare, derrkucet afërohen shpesh te vizitorët, sidomos te fëmijët, për t’u ushqyer apo për t’u ledhatuar. Ato janë të mësuara me njerëzit dhe krijojnë një lidhje të veçantë me çdo vizitor që kalon kohë me to.
Prania e derkuceve pasuron atmosferën e fshatit dhe ofron një mundësi edukative për të mësuar më shumë rreth jetës rurale dhe kujdesit ndaj kafshëve shtëpiake. Për fëmijët dhe familjet, ata janë një atraksion i dashur që e bën vizitën në “Kasollet e Zanave” edhe më të ngrohtë dhe të paharrueshme
Shpezët

Shpezët
Në Kasollet e Zanave, shpezët janë një pjesë e rëndësishme e jetës në Kopshtin e Kafshëve, duke sjellë gjallëri, zëra të këndshëm dhe një atmosferë të vërtetë rurale. Patat, gusat, rosat dhe gjeldeti jetojnë së bashku në një hapësirë të gjelbër dhe të sigurt, ku lëvizin lirshëm dhe komunikojnë në mënyrën e tyre karakteristike, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve të vegjël dhe të rritur.
Fëmijët kanë mundësinë t’i vëzhgojnë nga afër, të mësojnë rreth dallimeve mes tyre dhe të kuptojnë më mirë rolet që shpezët kanë pasur në jetën tradicionale fshatare. Shumë prej tyre mund të shihen duke notuar në liqen ose duke u shëtitur pranë rrugicave e gardheve.
Ngjyrat, zhurmat dhe sjellja e shpezëve krijojnë një përvojë dinamike dhe edukative, duke e kthyer këtë pjesë të kopshtit në një ndalesë të veçantë për çdo vizitor. Prania e tyre sjell një ndjesi të ngrohtë familjariteti dhe lidhet ngushtë me kujtimet që shumë vizitorë kanë nga fshati apo natyra.
Muzeu i fshatit
Në Kopshtin e Kafshëve kemi ndërtuar edhe një muze të vogël të fshatit, një hapësirë e dedikuar për të ruajtur dhe prezantuar trashëgiminë tonë kulturore. Në këtë muze janë të ekspozuara vegla, pajisje dhe artifakte të ndryshme që dikur përdoreshin në jetën e përditshme të fshatit, duke përfshirë vegla bujqësore, enë tradicionale, tekstile të punuara me dorë dhe sende të tjera të çmuara nga e kaluara. Qëllimi i këtij muzeu është të njohë fëmijët dhe vizitorët me mënyrën e jetesës së stërgjyshërve tanë, duke treguar se si ka evoluar jeta në fshat ndër vite. Përmes ekspozitave të tij, muzeu u ofron të rinjve një mundësi unike për të kuptuar më mirë historinë dhe kulturën, si dhe rëndësinë e traditave që ende mbahen gjallë në fshatin tonë. Ky është një vend ku e kaluara takohet me të tashmen, duke krijuar një eksperiencë edukative dhe frymëzuese për çdo vizitor.
Kinemaja e hapur
Gjatë mbrëmjeve, në oborrin e kopshtit të kafshëve organizohen shfaqje filmash dhe dokumentarësh për fëmijë, kryesisht të fokusuar në botën e gjallë të Tokës. Kjo përvojë e veçantë i lejon fëmijët të ndihen sikur janë pjesë e një aventure magjike, ku jo vetëm që do të shijojnë filmin, por edhe do të kenë mundësinë të ledhatojnë kafshët të cilat sillen të lira në hapësirën e oborrit.
Atmosfera bëhet edhe më e veçantë falë ndriçimit të butë të pishtarëve dhe dritave dekorative, të cilat krijojnë një ambient të ngrohtë dhe të këndshëm për të gjithë familjen. Ndërkohë, fëmijët mund të shijojnë kokoshka të freskëta dhe lëngje natyrale nga frutat e fermës, duke e bërë këtë një përvojë të paharrueshme.
Frymëzohuni nga pamjet mahnitëse të kopshtit të kafshëve dhe natyrës përreth.
Krijoni kujtime unike në fshatin turistik "Kasollet e Zanave"

Një përvojë autentike në mes të natyrës, me ambient mahnitës, specialitete tradicionale, verëra cilësore dhe mikpritje të ngrohtë.
Restoranti

Me një sipërfaqe prej 3000 m² dhe mbi 200 kafshë të ndryshme, ku organizohen aktivitete edukative për vizitorët.
Kopshti i kafshëve
